Ministri i jashtëm rus i kërkon OKB-së të reagojë për rastin e përfaqësuesit rus në UNMIK

12:28 | 31 May 2019

Në aksionin e policisë së Kosovës në veri ishte prangosur edhe një rus i cili me veturën e tij kishte penguar forcat e rëndit në kryerjen e detyrës zyrtare.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, pas rastit të shtetasit rus në UNMIK, ka akuzuar “mbrojtësit perëndimorë ua kanë krijuar përshtypjen përfaqësuesve të Prishtinës për pandëshkueshmëri, ndërsa ata kanë dalë nga kontrolli i atyre që janë shtirë sikur po i kontrollojnë”.

“Në fakt ata asnjëherë askënd nuk e kanë dëgjuar. Edhe BE-ja, edhe SHBA-ja janë përpjekur t’i kontrollojnë, por kjo ka çuar në rezultate dëshpëruese për patronët nga Perëndimi, që autoriteteve kosovare u ka krijuar përshtypjen e pandëshkueshmërisë dhe të lëshimit pe”, citon agjencia ruse e lajmeve TASS Lavrovin, i cili ndodhet për vizitë në Japoni, transmeton Koha. net.

Duke iu referuar qëndrimit të autoriteteve të Kosovës ndaj anëtarit rus të Misionit të OKB në Kosovë, UNMIK, Lavrov ka thënë se “ai nuk mund të arsyetohet me asgjë” dhe ka shtuar se “përpjekjet e Prishtinës që ta privojnë nga statusi është çështje serioze ndaj të cilës duhet të reagojnë përfaqësuesit e OKB-së”.

Sipas fjalëve të tij, shefi i Misionit të OKB në Kosovë, Zahir Tanin ka mbajtur qëndrim parimor në lidhje me këtë rast dhe nuk dëshiron të inkurajojë një sjellje të tillë të Prishtinës.

Lavrov, siç e citojnë mediat ruse, ka thënë se përfaqësuesit e Prishtinës kanë shkelur shumë detyrime të veta, në radhë të parë ato që e obligojnë që para katër vjetësh, dhe ky është formimi i Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave Serbe.

Kosova e ka shpallur të padëshirueshëm përfaqësuesin rus në UNMIK, për shkak të keqpërdorimit të statusit që gëzonte në Kosovë.

Komento: