Ministri italian i mbrojtjes teksa flet për Lindjen e Mesme shpreh shqetësim për situatën në Kosovë: Ka potencial të shpërthejë

20:44 | 02 Tetor 2024
ministri-italian-i-mbrojtjes-teksa-flet-per-lindjen-e-mesme-shpreh-shqetesim-per-situaten-ne-kosove:-ka-potencial-te-shpertheje

Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, duke folur për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, ka shprehur shqetësim për krizën në Kosovë, që sipas ministrit italian nuk është në nivelin e Lindjes së Mesme, por ka potencial shpërthimi.

“Ekziston një front tjetër që më shqetëson, jo në të njëjtën masë si Lindja e Mesme, por që potencialisht mund të bëhet po aq shpërthyes sa ai,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përpara komisioneve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë, në një seancë dëgjimore mbi krizën mes Izraelit dhe Libanit.

Më 11 tetor italiani,  gjenerali Enrico Barduani, do të marrë drejtimin e kontingjentit të KFOR-it me seli në Prishtinë, pikërisht në kohën kur vendi është përfshirë nga tensione në rritje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ka shkruar mediumi Politica.

Mediumi i ka dhënë opinionit italian një kronologji për zhvillimet e tensioneve etnike në Kosovë.

Në këtë artikull, citohet edhe komandanti i KFOR’it Ozkan Ulutas, i cili ka thënë se gjendja është e mirë, por mbetet e brishtë.

Krerët e vendeve perëndimore vazhdimisht kanë theksuar rrezikun e hapjes së një fronti të ri lufte në Evropë, pas atij në Ukrainë.

Po ashtu, situata në Lindjen e Mesme e ka përkeqësuar paqen botërore. /Gazeta Express/

Komento: