Ministri Latifi flet për përcaktimin e listës së barnave: Pres 100 për qind shmangie të konfliktit të interest

13:42 | 30 September 2022

Latifi për përcaktimin e listës së barnave: Pres 100 për qind shmangie të konfliktit të interest.

Në takimin e parë të Komitetit kyç për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kërkoi që kjo listë të bëhet me kompetenca profesionale e shkencore, duke shmangur 100% konfliktin e interesit.

Ministri Latifi u shpreh se përditësimi i listës së barnave esenciale mundëson që për pacientët të zgjerohen mundësitë e trajtimit me barna të reja, cilësore dhe të sigurta.

Sipas tij ky Komitet ka për detyrë që për këtë listë të konsultohet me burime të sigurta shkencore.

“Atë të përditësimit të listës së produkteve dhe materialit shpenzues e njohur si lista e barnave esenciale me synim që qytetarët e Kosovës dhe pacientët tanë të zgjerojnë mundësitë e trajtimit me barna të reja dhe cilësore dhe të sigurta. Komiteti i formuar ka për detyrë që të konsultohet me burime të sigurta shkencore, përfshirë edhe listën në fuqi të OBSH-së dhe propozime të reja dhe të argumentuara në mënyrë profesionale. Ta bëjë listën e re të produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues e cila do t’i përgjigjet zhvillimeve farmaceutike dhe nevojave të pacientëve në baza shkencore”, theksoi Latifi.

Duke kërkuar që sa më shpejt të përfundoj kjo listë, ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi tha se procesi i përcaktimit të listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore kërkon standarde të rëndësishme përfshirë përgjegjësi maksimale nga secili anëtar i Komitetit dhe shmangie 100% të konfliktit të interesit dhe transparencë.

Latifi u shpreh se sipas nevojës do të sigurojnë edhe ekspertizë ndërkombëtare, derisa theksoi se këta ekspertë nuk mund të jenë të mbështetur nga kompanitë farmaceutike.

“Si ministër i Shëndetësisë pres që ky proces t’i përmbush standardet më të rëndësishme që janë e këto janë përgjegjësia maksimale prej secilit prej jush si anëtar të Komitetit…kompetencë profesionale dhe integritet, dituri shkencore me lami në fushat tuaja dhe shmangie absolute, shmangie të 100% të konfliktit të interesit dhe transparencës maksimale, me qëllimin kryesor që në listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesi klinik i pacientëve. Çdo shmangie nga këto nuk ka vend në këtë komitet, nuk ka vend në këtë ministri dhe nuk ka vend në këtë qeveri. Jam shumë i sigurt se secili prej jush do të jap atë që e din dhe mundet duke qenë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm për shëndetësinë tonë. Iu bëjë me dije të gjithëve që ne do të kujdesemi që procesi të arrij të gjitha standardet dhe nga Komiteti presim të përcaktoj dinamikën e finalizimit të procesit”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Kryesuesi i Komitetit kyç të Listës së produkteve mjekësore dhe materialeve shpenzuesve, Driton Vela i cili tha se lista e re do të përpilohet bazuar në transparencë dhe kapacitete shkencore.

“Për ta përpiluar një listë që i plotëson të gjitha kërkesat e vendit sigurisht që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet shkencore që i kemi në dispozicion….Nga neve si grup pritet që përpilimi i listës të bëhet ashtu që vendimmarrja jonë të jetë transparente e pa ndikuar nga konflitet e interesit dhe bazuar në principet moderne të mjekësisë. Në listën e re do t’i plotësojmë edhe mangësitë e listës së vitit 2019. Prej miratimit të listës së fundit kanë kaluar më tepër se 3 vite ka ndryshime të hovshme në mjekësi terapi të reja të cilat e kanë rritur mbijetesën ndaj sëmundjeve të caktuara dhe ne këto do t’i marrim parasysh. .. nëse i përfshijmë ato me argumentet shkencore direkt do të ndikojmë në cilësinë e shëndetit të pacientëve”, u shpreh Vela.

Sipas Velës Kosova nuk figuron në listën e OBSH-së me listën e saj të barnave esenciale.

E si kryesues i Komitetit për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore, Driton Vela u shpreh se ende nuk ka informata se sa buxhet do të ndahen për këtë listë.

“Vendimmarrja e bazuar në dëshmi shkencore e cila edhe ashtu është një prej standardeve kryesore ku ne si ekip do ta respektojmë sepse është e përfshirë në standardet e OBSH-së për përpilimin e një liste, nuk mendoj se lista e kaluar pavarësisht punës së madhe i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e këtij standardi. Na pret një punë e madhe të cilën ne duhet ta realizojmë me profesionalizëm dhe mos të harrojmë se çdo lëshim eventual i yni sot do të ketë pasoja direkt te pacientët tanë jo vetëm tani por edhe në vitet në vijim”, theksoi ai.

Për herë të fundit në vitin 2019 është bërë përditësimi i listës së barnave esenciale.

Komento: