Darmanoviq thotë se dorëheqja e Haradinajt mund t’i japë Vuçiçit dhe Thaçit më shumë hapësirë për negociata.
Ministri malazez i Punëve të Jashtme, Sërgjan Darmanoviq, thotë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, u jep hapësirë më të madhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e atij serb Aleksandër Vuçiq, për negociata.
“Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, u jep hapësirë për negociata dy negociatorëve kryesorë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq”, tha Dermanoviq në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Darmanoviq, megjithatë, thekson se e ardhmja e kësaj çështje varet nga marrëdhëniet mes forcave në Kuvendin e Kosovës dhe mes vet politikanëve e liderëve kosovarë.
“Sigurisht, Ramush Haradinaj ishte një pjesëmarrës i shquar në zgjidhjen e problemeve dhe marrëdhënieve të serbëve të Kosovës dhe kishte pikëpamjet e tij për këtë”, tha ai.
Ministri malazez konsideron se mungesa e Haradinajt në Kosovë, varësisht se si do të shkojë procesi në Gjykatën Speciale, atje ku u ftua në cilësinë e të dyshuarit, mund të krijojë skenarë të rinj në vend.
“Kjo në të vërtetë është çështje e marrëdhënieve të tyre të brendshme dhe politikës së tyre. E gjitha varet se nga kush do të formohet qeveria e ardhshme e Kosovës. Dhe, nëse partia e tij do të mbetet në pushtet – domethënë nëse koalicioni që ai drejton do të dominojë procesin politik apo jo. Shumë çështje janë para nesh dhe nuk duhet të nxitojmë për përfundime”, thotë tutje ai.