Mehaj dhe Jashari udhëtojnë në Uashington, do të takohen me zyrtarë të lartë amerikanë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, kanë udhëtuar në Uashington, për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2022”.
Mehaj i shoqëruar nga Jashari do të takohen me zyrtarë të lartë amerikanë.
“Përveç takimeve gjatë panairit me përfaqësues të kompanive të industrisë amerikane të mbrojtjes, së bashku me Gjeneral Jasharin, do të kemi takimet në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit, me personalitetet si: Zv.sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl, Drejtorin e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), James Hursch dhe Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjeneral Daniel R. Hokanson”, ka shkruar Mehaj.
Gjithashtu, gjatë vizitës katërditore do të takohen edhe me personalitete tjera të larta politike e ushtarake, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.
“Vizita jonë është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpreh fuqishëm partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.