Ministri Mehaj kërkon sërish bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

09:52 | 22 November 2022

Mehaj kërkon sërish bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në takim me kongresmenin amerikan Ritchie Torres, ka përsëritur kërkesën e tij për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

Kërkesën Mehaj e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social.

“Duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, ka shkruar Mehaj.

Tutje, ai ka thënë se Torres është informuar edhe për zhvillimet e Kosovës, të arriturat dhe synimet që ka për të ardhmen.

“Sikur edhe në takimet e mia të mëhershme me kongresmenin Torres, edhe këtë radhë e njoftova me situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë, dhe ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë”, ka shkruar Mehaj.

Kërkesën e Kosovës, që SHBA të ketë një bazë të përhershme ushtarake dhe jo vetëm në Kosovë, e kishte komentuar edhe ish-emisari special amerikan për dialogun, Richard Grenell.

”Qeveria aktuale sapo hodhi poshtë ndihmën e SHBA-së për t’u sjellë atyre një tubacion gazi”, kishte shkruar Grenell.

Më 15 tetor, Kosova i kishte ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

Ky propozim, në emër të Qeverisë së Kosovës, ishte dhënë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënsekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, kishte thënë ministri.

Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.

Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, forcat e NATO-s, në kuadër të misionit KFOR, janë forcat e vetme ushtarake në Kosovë. Kjo e përjashton mundësinë e një baze ushtarake të re, jashtë këtij misioni në Kosovë, nga cilido shtet.

Komento: