Mehaj në Amerikë takon Escobarin, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se gjatë qëndrimit në Amerikë është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Ai ka thënë se më të ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, e po ashtu edhe për politikat destabilizuese të cilat, sipas tij, po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.
“Po ashtu theksova edhe njëherë se qëndrimet e Republikës së Kosovës janë të qarta, ashtu si gjithmonë ne jemi pro politikave evropiane, krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim etnie, për këtë dhe angazhohemi çdo ditë”.
“Megjithatë rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final, anëtarësimin në BE dhe në NATO, aty ku gjeografisht gjendemi, dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Mehaj.