Reagon Mehaj: Vuçiq kërkon destabilizimin e Kosovës, dronët pretekst që ta rris numrin e trupave në kufi me Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar pasi mediat serbe raportuan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka urdhëruar ushtrinë e tij që t’i lëshojë disa avionë luftarakë për t’i shkatërruar “dronët e armikut”, të cilët thonë se vëzhguan pozicionet e ushtrisë serbe, e cila sot u urdhërua të vendoset në gjendje gatishmërie.
Mehaj tha se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe se kjo është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës.
“Në lidhje me deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve; Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut”, tha ai.
Tutje, Mehaj tha se ky është tentim për destabilizimin e Kosovës, e për të ngjallur frikë tek komuniteti serbë.
“Dhe së dyti, tentim destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë, tek të gjithë ata që përdorin targa ilegale të Serbisë, e të cilat u’a rikujtojmë se janë të tilla, ilegale, pasi janë në kundërshtimin me marrëveshjen e derivuar nga dialogu në mes të dyja palëve, si dhe në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.10.2022, në të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në tre faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023”, tha Mehaj.