Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se nuk është e vërtetë që 10 pjesëtarë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Kështu ka deklaruar Mehaj në Facebook, ku ka shtuar se, janë tre kërkesa për demobilizim që janë pranuar prej kohës dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.
“Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë. Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë tre kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta”, ka thënë Mehaj.
Postimi i plotë:
Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë.
Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë tre kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.
Prandaj, deklarimet e tilla publike i shohim më tepër si tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte.
Përpjekjet e Serbisë për të frikësuar pjesëtarët serb të FSK-ës janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane.
Nuk presim që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por dhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve.
Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut.
Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie.
Bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO!