
Mehaj: Kemi një kohë të gjatë që jemi duke punuar në themelimin e Fondit të Sigurisë, jam i lumtur që u finalizua.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka shkruar pas themelimit të Fondit të Sigurisë nga Qeveria. Ai ka thënë se ka një kohë të gjatë që po punohet për themelimin e këtij fondi.
Mehaj ka shtuar se siguria e shtetit tonë nuk ka nënkuptuar asnjëherë pasiguri për të tjerët dhe se kështu do të vazhdojë të jetë. Ai ka thënë se tani të gjithë mund të kontribuojnë në sigurinë e Kosovës.
Ky është statusi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Bashkëkombës tanë,
Miq të vendit dhe popullit tonë liridashës dhe paqedashës,
Për Atdheun tonë, Lirinë dhe Pavarësinë e saj, dhamë shumë gjak, djersë, mund e para nga puna jonë e ndershme, në të gjitha periudhat e historisë sonë të dhimbshme e të lavdishme.
Një vullnet shumë të madh për të dhuruar donacione në mjete financiare për institucionet e sigurisë së vendit, e keni shprehur gjithmonë.
Ka një kohë të gjatë që jemi duke punuar në themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin qytetarët tanë mund të kontribuojnë me mjete financiare dedikuar sigurisë në vend.
Jam shumë i lumtur që më në fund kjo punë intensive u finalizua dhe sot me nënshkrimin e vendimit nga ana e kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, ky fond do të jetë i hapur.
Vlerën e shenjtë të Lirisë dhe Pavarësisë së Atdheut tonë që e paguam shumë shtrenjtë, jemi të vendosur ta ruajmë me çdo çmim.
Siguria jonë kurrë nuk ka nënkuptuar pasiguri për të tjerët. Përkundrazi, dje, sot dhe nesër, ishim, jemi e do të jemi siguri e mbrojtje për të gjithë, pa dallim.
Të kontribuojmë së bashku, për të mirën e institucioneve tona të mbrojtjes dhe sigurisë.
Për garantuesit e Lirisë, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të vendit.
Për garantuesit e jetërave dhe pronave tona, garantuesit e sigurisë dhe rendit tonë publik.