Ministri Murati: 48 milionë euro u keqpërdoren nga Qeveria Haradinaj për shpronësime në autostradën Prishtinë-Pejë

18:26 | 31 August 2021

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se auditori ka gjetur keqpërdorim të 48 milionë eurove gjatë Qeverisë Haradinaj në procesin e shpronësimit.

“Disa prej gjetjeve nga një raport i auditimit të brendshëm që është bërë në lidhje me procesin e shpronësimit për njërin nga projektet, pra për autostradën Kijevë-Zahaç, apo siç njihet Prishtinë-Pejë. Në vazhdimësi kemi thënë se me shpronësimet dhe projektet e mëdha ka pasë dallavere dhe keqpërdorime. Tani i kemi edhe shifra. Bëhet fjalë për një keqpërdorim 48 milionë eurosh dhe brenda këtyre ka dyshime të mjaftueshme për të konstatuar se bëhet fjalë për flasifikim të 12 milionë eurove. Ministria e Infrastrukturës më 24 gusht 2018 ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po flasim për Qeverinë e PAN, pra për Qeverinë Haradinaj, në atë shkresë kërkon që të fillohet procesi i shpronësimit për segmentin ku do të shpronësoheshin 1050 prona”.

“Janë prona të veçanta që në fillim ishin të vlerësuara lart dhe janë dyfishuar. Pra pronave specifike është dyfishuar vlera. Pronat që janë ngjitur me njëra-tjetrën, njëra është shpronësuar 800 euro ari, kurse tjetra 3500 euro ari. Kjo 3500 është bërë 7000 derisa kjo tjetra ka mbetur 800”.

Murati ka paralajmëruar se do ta dërgojë rastin në prokurori që nesër.

“Çka janë pasojat këtu? Ne normalisht që e kemi stopuar, pra me këtë gjetje ne do ta stopojmë këtë vlerësim. Do të shohim të gjitha mundësitë ligjore dhe që nesër do ta dorëzojmë në prokurori raportin e auditorit, si dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat që të shikojmë për ta shpëtuar buxhetin. Deri tani nuk është kryer asnjë pagesë, fatmirësisht. Jemi të sigurt që nuk është dëmtuar buxheti deri tani, por nga tani e tuje kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë të gjitha veprimet që përgjegjësit t’i vë para drejtësisë dhe po ashtu të hapë rrugë për rishqyrtimin që ky vendim të anulohet dhe të mund të bëhet një rivlerësim i projektit në tërësi”.

“Normalisht që kjo ka për pasojë vonesat në projekt, sepse pa shpronësim nuk mund të fillohet as projekti. Këtë do të duhej ta mendonin ata kur kanë bërë këto falsifikime. Projekti Prishtinë-Pejë mund të vonohet, eventualisht do të realizohet, por si rezultat i këtyre falsifikimeve pasojat do të jenë edhe për projektin dhe normalisht që pasojat do të duhej t’i bartnin përgjegjësit, sidomos para drejtësisë”.

Komento: