Ministri Murati harron premtimin për heqjen e haraçit me arka fiskale për bizneset

08:38 | 28 October 2024
ministri-murati-harron-premtimin-per-heqjen-e-haracit-me-arka-fiskale-per-bizneset

Pas më shumë se tri vite  qeverisje , ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka arritur të realizojë premtimet e tij për të hequr “monopolin dhe haraçin” në tregun e arkave fiskale në Kosovë, një çështje e cila kishte qenë në qendër të fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Në deklaratat e tij të mëparshme, Murati kishte theksuar rëndësinë e mbështetjes për bizneset dhe kishte premtuar se me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, do të eliminoheshin praktikat e dëmshme, siç kishte thënë ai, që pengojnë zhvillimin e tregut.

“Haraçi i arkave fiskale do të hiqet, sepse shteti duhet të jetë në krah të bizneseve, e jo të vihet në shërbim të grupeve të interesit. Me Lëvizjen Vetëvendosje hiqen monopolet zhvatëse”, kishte qenë zotimi i Muratit në fushatë.

Ai kishte shprehur angazhimin për të krijuar një ambient më të favorshëm për bizneset duke hequr ndërhyrjet e grupeve të interesit.

Megjithatë, edhe pse është folur për një udhëzim administrativ që do të rregullonte këtë sektor, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë deri tani.

Kjo ka lënë tregun të vazhdojë me çmimet e larta për Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF), që aktualisht varirojnë nga 220 euro për arkën fiskale mobile deri në 4,070 euro për sistemet fiskale për derivate.

Në Kosovë, katër kompani janë të licencuara për PEF: Gekos, Dukagjini, Enternet, dhe Service Global.

Çmimet e larta të këtyre pajisjeve kanë krijuar shqetësime te bizneset, të cilat e konsiderojnë këtë një pengesë të madhe për operimin e tyre.

Agim Shahini: Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që t’i përmbushë premtimet e veta, duhet krijuar  mundësi që shteti t’i blejë arkat fiskale për bizneset

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), në një deklaratë për FrontOnline kritikon dështimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e premtimeve për mbështetje ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

‘’Qeveria e Kosovës e cila ka ardhur me premtime të mëdha për bizneset, ekonominë , qytetaret , nuk ka arritur që t’i plotësojë premtimet e veta’’, tha Shahini për FrontOnline

Ai thekson se ekonomia e vendit është në një gjendje të vështirë, me tregun e punës dhe qytetarët të varfëruar. Sipas tij, raportet ndërkombëtare flasin për krijimin e monopoleve të fuqishëm ekonomike, politike dhe biznesore që e dëmtojnë konkurrencën e tregut.

‘’Sot ekonomia e vendit është në një gjendje jo të mirë, është varfëruar tregu i punës , është varfëruar edhe qytetari. Kjo thuhet në raportet ndërkombëtare janë krijuar dhe po krijohen monopole të fuqishme ekonomike ,politike dhe biznesore’’, tha Shahini për FrontOnline.

 

Shahini kritikon qeverinë për mosndërhyrje në krijimin e një ambienti të favorshëm për bizneset dhe për taksat e larta që po rëndojnë më tej situatën dhe  përmend rritjen e tatimit mbi pronën me 200- 300% nga janari i vitit të ardhshëm, duke e bërë atë tatimin më të lartë në vend.

Për sa i përket pajisjeve me arkë fiskale, ai thekson se procesi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe shteti duhet të krijojë mundësi për blerjen e arkave fiskale, ndërsa duhet të merren masa të rrepta ndaj atyre që nuk i përdorin siç duhet.

‘’ Pajisja me arka fiskale është proces që duhet të bëhet në vazhdimisht dhe duhet krijohet mundësi që shteti t’i blejë arkat, kurse ata që i gjejnë pa arka të merret masa kundrejt tyre’’, tha Shahini.

Shahini thekson se qytetarët janë të detyruar të blejnë arkë fiskale me çmime të larta, por ndihen të braktisur nga shteti në kontrollet e përdorimit. Kjo situatë ka sjellë një rritje të in formalitetit, me shumë biznese që kanë arkë fiskale, por disa prej tyre e përdorin vetëm si dekor.

‘’ Përderisa qytetarët detyrohen t’i blejnë arkat dhe t’i blejnë me çmim të lartë atëherë shteti i detyron ti blejnë për por jo edhe me I kontrolluar prandaj informaliteti në Kosovë është i lartë për shkak se shumica e tyre I kanë arkat fiskale dhe I përdorin mirë mirëpo ka edhe nga ata që I mbajnë për dekor’’, përfundon Shahini.

Ferat Shala: Ministri Murati nuk e ka mbajtur asnjë premtim për bizneset

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, në një prononcim për FrontOnline kritikoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke theksuar se ai nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna gjatë fushatës.

‘’ Është e vërtete që Qeveria gjegjësisht ministri i Financave nuk ka përmbajtur asnjë premtim të dhënë gjatë fushatës së tij apo edhe në vazhdim’’, tha Shala.

Shala u shpreh se qeveria ka dështuar të ofrojë zgjidhje për problemin e furnizimit me arkë fiskale, duke theksuar se situata është përkeqësuar në vend që të përmirësohet. Ai e akuzoi Muratin se, përveç dështimeve në rregullimin e tregut, ka rritur tatimin mbi pronat e bizneseve, duke e bërë më të vështirë për to të funksionojnë.

‘’ Ai jo vetëm që nuk i ka ndihmuar bizneset me zgjidhjen e problemit të furnizimit me arka fiskale dhe ndryshimin e metodologjisë së furnizimit, por ai e ka përkeqësuar gjendjen e bizneseve duke rritur tatimin në pronë për bizneset’’, deklaron Shala.

Shala theksoi se qeveria nuk ka bërë asnjë përpjekje reale për të krijuar një ambient më të favorshëm për bizneset dhe përfundoi duke thënë se qeveria aktuale e ka vështirësuar mënyrën e të bërit biznes

‘’Në esencë nuk është bërë asnjë përparësi reale që qytetarët ta gëzojnë dhe kjo qeveri e ka vështirësuar mënyrën e të bërit biznes dhe mënyrën e funksionimit të bizneseve’’, përfundon Shala.

/FrontOnline/

 

 

Komento: