Ministri i Kurtit që merr vetëm 50 për qind të pagës tash e 3 muaj.
Është udhëheqës i Kuletës Shtetërore.
Por ministri i Financave, Hekuran Murati, tash e sa muaj merr përgjysmë më pak para se çka i takojnë nga vetë institucioni që drejton.
Krejt kjo ndodhi pas vendimit të tij për të hapur konkursin për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.
Vendim ky, që sipas ligjit s’i takon ministrisë së Financave.
E edhe pas paralajmërimeve të Këshillit Të Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbyesve Civil që të anulohet ai konkurs, ministri Murati nuk e bëri një veprim të tillë.
Prandaj, që nga muaji tetor i vitit të kaluar, me vendim të KPMShCK-së, ministrit Murati iu zvogëlua paga për 50% si masë ndëshkuese.
Vendimin e Këshillit po e mbështesin edhe njohësit e ligjit.
Juristi Asdren Bytyqi, thotë që ligji për Shërbyesit Civil e përcakton se Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për konkursin e ATK-së.
Bytyqi e konsideron vendimin e ministrit të Financave si jo profesional.
T7 ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave në lidhje me këtë çështje, mirëpo nuk janë përgjigjur.
Vendimi për zbritje 50% në pagë do të jetë në fuqi deri sa ministri Murati të zbatojë kërkesën e KPMShCK-ë për konkursin në fjalë.