Ministri Mustafa thotë se e ka menduar dorëheqjen pas rastit të vajzës nga Drenasi

09:25 | 08 February 2019

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka thënë se ka menduar të jap dorëheqje pas rastit të vajzës nga Drenasi.

Mustafa, thotë se ka menduar të dorëhiqet nga detyra e ministrit pas publikimit të rastit të vajzës së mitur nga Drenasi që është keqtrajtuar së pari nga mësuesi e më pastaj edhe nga një zyrtar policor.

Ai ka dhënë një arsye se pse nuk e ka bërë këtë, duke thënë se është më mirë që të vazhdohet zgjidhja e rastit.

“Po sidoqoftë unë e kam menduar që është një pozicion që unë të marr masa edhe ndaj vetvetes, por momenti kur e kam marrë detyrën rasti veç ka qenë në zhvillim e sipër. Është e mira e së mirës që ne të vazhdojmë në atë mënyrë që rasti të zgjidhet pa marrë parasysh a do të jap unë dorëheqje a jo. Por, sidoqoftë nuk do të jetë vakum institucional edhe nëse largohem unë nga kjo detyrë. Më ka shkuar mendja që rastin ta trajtojmë në atë mënyrë që të marrë një epilog të merituar, sepse është rasti mjaft i ndjeshëm dhe mjaft prekës për dikasterin të cilin unë e udhëheq”, ka thënë ai.

Ministri ka folur edhe për atë se a i kanë ofruar ndihmë familjes së viktimës.

“Ne si institucion kemi insistuar që të organizohemi në atë mënyrë që rasti të mos marrë një përmasë të pakontrolluar dhe mendojmë që ditët në vijim do të kontaktojmë me familjen dhe do t’i ofrojmë atë që e shohim në bazë të rrezikshmërisë nëse e shikojmë që është e rrezikuar familja”, është shprehur ai. Mustafa ka deklaruar se nuk do të mbetet askush i pandëshkuar që ka qenë i involvuar në këtë rast.

“Nuk jam për të mos u ndëshkuar personat të cilët janë të involvuar dhe kanë qenë të njoftuar me rastin në fjalë. Pa marrë parasysh ecurinë dhe hetimet të cilat do t’i bëjë Policia hetimore e Kosovës ndaj këtij rasti ne do të reflektojmë pozitivisht që qytetari të ketë besueshmëri në Policinë e Kosovës dhe do të ndëshkojmë të gjithë akterët të cilët kanë qenë të njoftuar me këtë rast dhe nuk kanë kryer detyrën e tyre sipas rregullit dhe përshkrimit të detyrave të tyre”, tha ai. Këto komente ministri Mustafa i ka bërë në TV Dukagjini.

Komento: