Ministri nga AAK kërkon në mbledhjen e Qeverisë ndërprerjen e dialogut

09:51 | 06 Nëntor 2020

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar që të pezullohet dialogu me Serbinë deri në një moment tjetër të përshtatshëm.

Ai e ka quajtur një goditje të rëndë për shtetin e Kosovës aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Këto aktakuza më shumë se efekt juridik po prodhojnë efekt politik për të cilën s’bën të qëndrojmë duarkryq. Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit. Derisa nuk e bën të qartë se UÇK-ja nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale është e shprehur”, ka thënë Selimi.

Ai ka thënë se janë për drejtësi por Gjykata duhet të tregojë se është një gjykatë e Kosovës që nuk operon me prova nga eksponentët e Serbisë.

“Si Qeveri duhet të insistojmë për më shumë transparencë nga Dhomat e Specializuara. Të gjithë jemi për drejtësi sepse jemi të bindur në pastërtinë e UÇK-së. Për të vazhduar dialogun na duhet legalitet dhe legjitimitet të kontrollit dhe balansit kushtetutes”, ka thënë Selimi. “Ne duhet të ndërpresim proceset tona që lidhen me dialogun me Serbinë deri në një situatë të re, çdo lëvizje tjetër mund të jetë në favor të dikujt tjetër”.

Komento: