Ministri Peci merr dhuratë një bostan prej homologes nga Shqipëria

20:58 | 20 April 2022

Peci merr dhuratë një bostan prej homologes nga Shqipëria.

Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci, ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Frida Krifca.

Në takim është folur për shumë çështje, ndër to edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Ajo që bie në sy në postimin e Pecit, është një dhuratë që i ka lënë Krifca.

Ky është postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë që ta pres në takim homologen time nga Shqipëria, Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj. Frida Krifca.

Ky takim është vazhdimësi e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve në mes të dy institucioneve tona, pas Marrëveshjes së nënshkruar në mes të dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar ku diskutuam për ecurinë e implementimit të marrëveshjes në fjalë dhe mbarëvajtjen e punës së deritanishme të grupeve teknike dhe operacionale.

Bashkëbiseduam për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndër-institucional në fushën e bujqësisë, ku bashkëbiseduam edhe për mundësitë dhe potencialin që kemi në këtë sektor për rritje të bashkëpunimit.

🇪🇺Gjithashtu, i shqyrtuam mundësitë e aplikimit përmes projekteve të përbashkëta në fondet e instrumenteve të para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian ku theksuam rëndësinë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

Ministres Krifca i potencova se projektet e përbashkëta zhvillimore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë pjesë e agjendës tonë gjatë këtij mandati.

U pajtuam të dy që shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal dhe për këtë do të angazhohemi që të ndërmarrim në vazhdimësi masa konkrete që ky shkëmbim të lehtësohet e të rritet në vazhdimësi.

U dakorduam që e rëndësishme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në të dyja shtetet është edhe shkëmbimi i eksperiencave dhe ekspertizës në nivelin teknik dhe administrativ, me qëllim që ta plotësojmë njëri-tjetrin në hapësirat ku kemi vend për përmirësim.

Gjatë ditës, vizituam pikën e agroturizmit në fshatin Bërnicë “Molla e Egër” për të parë nga afër zinxhirin e bashkëpunimit mes fermerëve dhe këtij agro-biznesi si potencial për zhvillim ekonomik.

Poashtu, në kuadër të kësaj vizite, pata rastin që ta njoftoj Ministre Krifca nga afër me punën dhe angazhimin e një ndër bodrumeve dhe eksportuesve më të mëdhenj të verës “Bodrumi i Vjetër” në Rahovec.

Komento: