Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka konfirmuar ambiciet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, duke thënë se “veriu i Kosovës nuk mund të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës”.
Ai beson se çështja e Kosovës do të zgjidhet në qoftë se bashkësia ndërkombëtare pajtohet se ajo duhet të zgjidhet.“Është e pamundur të gjendet zgjidhje adekuate për çështjen e Kosovës, përveç respektimit të situatës në terren – kush çfarë e mban atë, ajo është i saj. Në këtë rast, veriu i Kosovës nuk mund të jetë nën sovranitetin e Prishtinës dhe ky është fundi”, ka thënë Daçiç për Televizionin O2.
Ai rikujtoi se për këtë është duke folur tash e dhjetë vite, sepse siç thotë, “e di se kjo është zgjidhja e vetme konkrete që nuk shkakton probleme.“Nëse bashkësia ndërkombëtare pajtohet rreth asaj se çështja e Kosovës duhet të mbyllet si një problem që gjeneron jo stabilitet të përhershëm, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet” tha Daçiq, por thekson se problemi qëndron te fakti se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare nuk pajtohen me këtë.
Kreu i diplomacisë serbe thotë se kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por në marrëdhëniet e partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara”.Duke komentuar deklaratat e përsëritura të Presidentit malazez Milo Gjukanoviç se zgjidhja e është në formulën e Badinterit, Daçiq ka shprehur pëlqim me këtë qëndrim, por edhe mosbesim se pse një qëndrim të tillë e paraqet pikërisht Presidenti i Malit të Zi, e cila njohu pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës.
“Nuk mund të besoj se Presidentit të Republikës së Malit të Zi nuk i kujtohet se Badinteri foli për kufijtë e republikave, e jo kufijtë e krahinave. Por, tani që e keni shkelur formulën Badinterit, mos flisni për atë se nuk mund të ndryshojnë disa kufij që nuk kanë qenë të njohur ndërkombëtarisht, por se kanë qenë kufij administrativ midis Serbisë qendrore dhe krahinave autonome”, tha Daçiq. Ai tha se “derisa Brukseli, Uashingtoni e Parisi janë të gatshëm të pranojnë marrëveshjen që do ta arrijnë Kosova dhe Serbia, Gjermania është kundër korrigjimit të kufirit dhe fuqishëm insiston në mos ndryshimin e kufijve”.