Ministri Sveçla: Arrestohen 3 zyrtarë të MPB-së dhe pronari e një punëtor i një kompanie

19:48 | 03 Korrik 2023

Sveçla: Arrestohen 3 zyrtarë të MPB-së dhe pronari e një punëtor i një kompanie.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se e kanë prioritet sundimin e ligjit.

“Si Qeveri dhe si Ministri, që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit e në veçanti ndaj këtyre fenomeneve të rrënjosura me vite të tëra brenda institucioneve tona. Kemi ofruar dhe dhënë mbështetjen e plotë ndaj organeve të rendit dhe kemi adresuar çdo keqpërdorim që kemi evidentuar që nga marrja e detyrës”.

“Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë”.

“Tashmë e kemi dëshmuar por ritheksoj se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Kushdo që ka vepruar në çfarëdo forme në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka thënë ai.

Komento: