Sveçla pas suspendimit të Gjuriqit: Nuk lejojmë asnjë veprim që cënon misionin e policisë.
Ministsti i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për suspendimit të Drejtori Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, duke thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, është mbi të gjitha cënim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit.
“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka shkruar Sveçla në një postim.
Inspekorati Policor rekomandoi sot suspendimin e Gjuriqit, pasi i njëjti, të mërkurën doli në konferencë për media, ku tha se pjesëtarët serbë të forcës policore nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për ndalimin e veturave me targa “KM” dhe shpërndarjen e fletqortimeve.