Sveçla: Ka ashpërsim të retorikës nga Serbia, policia po iu ofron mbështetje institucioneve tjera aty.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas takimit me homologun e tij austriak, Karl Nehammer, deklaroi se ka ashpërsim të retorikës nga autoritete serbe dhe për këtë është e nevojshme qëndrimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.
“Ne që nga dita e parë e kemi bërë te qartë që masat e ndërmarra nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve të cilësdo përkatësi por përmbushje ligjore në sundimin e ligjit dhe respektimit të vendimit për targat. E kemi bërë që qartë se angazhimi i forcave speciale është bërë për të mbrojtur pikat tona kufitare dhe personelin që punon aty qoftë policinë e kufirit apo doganierët”.
“Pas vendosjes së barrikadave e kemi parë një ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe, por edhe të përfaqësuesve të strukturave paralele në Kosovë të cilët kanë portretizuar angazhimin e Njësisë Speciale sikur represion për ta. Ne duke ditur përvojën e vitit 2008 por duke parë edhe cfarë ndodhi me qendrat e regjistrimit civil të gjitha segmentet e sigurisë së Kosovës kanë vlerësuar se ka qenë i nevojshëm ky hap”, deklaroi Sveçla.
Sveçla mes tjerash tha se Njësia Speciale është në veri për t’ju ofruar mbështetje institucioneve tjera që po qëndrojnë aty, njofton Klankosova tv.
“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë në pikat kufitare ne kemi thënë se me largimin e barrikadave nuk ka nevojë për prezencë të forcave speciale. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta vetëm se kanë dëshmuar se nuk janë të brengosur sic thonin më herët me praninë e forcave speciale – por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”.
“Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë aty për të mbështetur punën e institucioneve tjera të cilat përkujdesen për rendin dhe ligj atje. Në momentin që përfundon nevoja për këtë mbështetje nuk kemi asnjë arsye që policia të qëndrojë aty”, deklaroi Sveçla.