Ministri Sveçla reagon për suspendimin e policëve: Të gjeturat e IPK-së shkojnë në prokurori

15:32 | 03 Dhjetor 2022

Sveçla reagon për suspendimin e policëve: Të gjeturat e IPK-së shkojnë në prokurori.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi IPK ka rekomanduar suspendimin e katër policëve për rastin e vrasjes së shtatzënës Hamide Magashi nga ish-burri i saj, Sokol Halili.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka rekomanduar menjëherë rekomandimin e IPK-së.

Tutje, Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.

Postimi i plotë i Sveçlës:

Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan.

Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.

Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal. /

Komento: