Ministri Sveçla thotë se Qeveria është e gatshme të strehojë deri në 5 mijë refugjatë

10:12 | 17 November 2022

Sveçla: Qeveria e gatshme të strehojë deri në 5 mijë refugjatë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mori pjesë në Konferencën Ministrore “Menaxhimi i qëndrueshëm i migrimit në Ballkanin Perëndimor” në Shkup, me ç’rast, shprehu përkushtimin e Qeverisë për adresimin e sfidave nga flukset e migracionit si rrjedhojë e dinamikave të reja të sigurisë dhe më gjerë.

Ministri, siç u bë e ditur, theksoi rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme të migracionit, të ndërtuara mbi një konsensus politik me qëllim të reagimit dhe parandalimit të formave të reja të migrimit.

Sveçla gjithashtu theksoi se Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen dhe si rrjedhojë është një nga prioritetet e Qeverisë, e cila ka si synim menaxhimin e migracionit të rregullt, garantimin e migrimit të sigurt dhe mirë të organizuar si dhe fuqizimin e masave për të luftuar dhe parandaluar migrimin e parregullt.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Sveçla prezantoi rezultatet e arritura në luftimin e kontrabandës me migrantë, ku vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka inicuar 32 raste të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve. Gjatë të njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me migrantë.

Po ashtu, siç u bë e ditur, Sveçla theksoi nevojën për tu përgjigjur situatave të reja të krijuara si rezultat i luftës së paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e flukseve të migrimit, kryesisht gra dhe fëmijë e ku deri më tani rreth 5 milionë refugjatë janë regjistruar në BE dhe më gjerë.

Ai shprehu edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë që të strehojë deri në 5000 refugjatë si dhe kontributin që Kosova ka dhënë në mbrojtje të gazetarëve ukrainas, ku tashmë 11 prej tyre jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Në fund të fjalimit të tij ministri Sveçla theksoi edhe një herë angazhimin e Qeverisë për të punuar së bashku për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe më gjerë, në mënyrë që t’i përgjigjemi të gjitha sfidave, si dhe të garantojmë sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave evropiane dhe të demokracisë.”, bëri të ditur tutje MPB.

Komento: