Ministri Tahiri flet për të akuzuarit nga Gjykata Speciale

19:26 | 10 Dhjetor 2018

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se nuk e di se kush janë të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

Ai ka bërë të ditur se nuk është njoftuar në lidhje me ftesat për intervistim të të akuzuarve dhe dëshmitarëve potenciale nga Gjykata Speciale.

Sipas Tahirit, nuk është obligim i kësaj gjykate që ta njoftojë Ministrin e Drejtësisë në lidhje me intervistimet.

“Nuk kam pritë, nuk jam informuar e as nuk pres të informohem për punën e tyre. Nuk është punë e Ministrit të Drejtësisë që të informohet nga prokurorët në Kosovë e as ndonjë prokuror me mandat tjetër. Gjykata Speciale i kanë partner policinë, gjyqësorin dhe mua në kuadër të kompetencave qe i kemi. Ata janë prokuror me një mandat të caktuar dhe nuk pres si ministër, si person politik, të njoftohem se kush do të intervistohet, qoftë në cilësinë e dëshmitarit qoftë si i akuzuar”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Ministri Tahiri bëri të ditur se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ekstradim të dikujt që lidhet me krimet e pretenduara të Gjykatës Speciale.

Ai gjithashtu njoftoi se në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është themeluar një zyre e veçantë në lidhje me të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale.

“Republika e Kosovës në bazë të dy ligjeve për themelimin e Gjykatës Speciale ka marrë përsipër mbrojtjen e personave potencialisht të akuzuar nga kjo gjykatë dhe mbulimin financiar të vizitave të familjarëve të tyre në Holandë. Kam themeluar një zyrë, aktualisht përbëhet nga katër persona, e cila do të marrë përsipër implementimin e përgjegjësive ligjore”.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe funksionalizimit të Gjykate Speciale, Tahiri tha se këto janë dy procese me mandate të ndryshme dhe se janë të ndara plotësisht.

Komento: