Ministri turk i Mbrojtjes vjen në Kosovë për “konkretizim projektesh” derisa Erdogan qëndron në Beograd

15:27 | 11 October 2024
ministri-turk-i-mbrojtjes-vjen-ne-kosove-per-“konkretizim-projektesh”-derisa-erdogan-qendron-ne-beograd

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.

Ai tha se Güler solli me vete mesazhin e Turqisë për Kosovën se është e interesuar të japë kontributin për sigurinë në rajon dhe për sovranitetin e sigurinë e Kosovës.

“Mesazhi i tij se Turqia është e interesuar që të vazhdojë të japë kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, integritetin, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës, është konfirmim i mbështetjes që nuk na ka munguar asnjëherë në secilën periudhë të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”.

Maqedonci tha se diskutimet për investim në industrinë e mbrojtjes “që së shpejti priten të konkretizohen në projekte të realizueshme përbëjnë një lajm të rëndësishëm për vendin”.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm që kemi me Turqinë, e bën atë partnere të pazëvendësueshme të shtetit tonë”, tha ai.

Vizita e ministrit turk të Mbrojtjes bie në kohën kur në Beograd po qëndron presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili zhvilloi një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Erdogan atje ka thënë se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”, ndërsa presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Dje gjatë ditës, Erdogan ishte edhe në Tiranë ku i premtoi Shqipërisë një numër të paspecifikuar dronësh kamikazë për ta ndihmuar rritjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Komento: