
Një grua shtatzënë ka vdekur sot në Klinikën Infektive në QKUK, pasi e njejta ishte e infektuar me koronavirus.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se lajmi për vdekjen e gruas shtatzënë nga Gjakova – bashkë me foshnjen e saj – që ishte e infektuar me Covid-19 ishte shumë i rëndë.
Vitia përmes një postimi në Facebook tha se këtë dhimbje të dyfishtë, për humbjen e nënës dhe foshnjes, e ndajnë bashkë me familjen dhe miqtë.
Ai ka thënë se nuk mund të përshkruhet ndjenja që e ka krejt stafi mjekësor që i ka qëndruar pranë pacientes që e humbi betejën me koronavirusin, derisa ka kërkuar forcë dhe disiplinë nga qytetarët që të mos ketë dhembje të tilla më.
Postimi i plotë i Arben Vitisë në Facebook:
Sot morëm njoftimin e rëndë për humbjen e jetës së bashkëqytetares sonë. Ajo priste të bëhej nënë. Komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes.
Marrim pjesë në këtë dhimbje të dyfishtë të familjes e miqve!
Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira.
Të nderuar qytetarë, na duhet forcë e disiplinë për të shmangur dhembje të tjera.
Të mbrojmë veten dhe të dashurit tanë. Jeta ka vlerë sepse ajo e bën të mundur çdo shpresë e çdo projekt.
Kurrë nuk është mjaft kujdesi. Le të mos shpërqendrohemi nga mbrojtja në këtë betejë që hera – herës i kapërcen mundësitë tona të deritanishme.
Të zbatojmë rregullat, të mbrojmë e shpëtojmë jetë. Duhet të besojmë realisht që kjo fazë është e përkohshme dhe nuk duhet të rrezikojmë një jetë të tërë nga pakujdesitë në këto pak javë.