Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me situatën e fundit të krijuar pas rritjes së rasteve me COVID-19.
Vitia para deputetëve ka thënë se që nga e hëna është në kontakt me të gjitha akterët për masat e reja që pritet të merren në vijim.
“Nga e hëna jemi në kontakte për masat e reja. Tanimë ka vaksina mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët të mos vaksinohen. Virusi “Delta” nuk kursen as fëmijët, janë shumë fëmijë të infektuar dhe ky është një alarm për të gjithë qytetarët që të jenë të ndërgjegjshëm”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka paralajmëruar se mund të merren masa të veçanta për të vaksinuarit dhe ata që nuk e kanë bërë deri tash një gjë e tillë.
“Vaksinat janë të sigurta, termine ka mjaftueshëm dhe ju lutem qytetarë të vaksinoheni sepse nuk mund të lejojmë që për shkak të mos-përgjegjësisë qytetare . Masat që do të ndërmarrim në vijim ku qytetarët e vaksinuar do të kenë incentive për shumë aktivitete, ndërkaq shpresojmë që ata që nuk janë vaksinaur të insentivizojnë ta bëjnë këtë”, ka thënë ai.