
Ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur përsëri sot për rëndësinë e respektimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit.
Ai gjatë pranimit të një donacioni nga Bashkimi Evropian për luftimin e COVID-19, bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes, që ndihma të tilla mos të vijnë në pafundësi, por të krijohet një situatë më e volitshme në vend.
Zemaj po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të mos i dëgjojnë ata të cilët bëjnë thirrje për padëgjueshmëri në vendimet e qeverisë.
“Mos lejoni që të kemi donacione të tilla në pafundësi, na ndihmoni ta përfundojmë pandeminë, respektoni masat, zbatoni masat e MSH-së dhe IKSHPK-së, mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e qeverisë, ruani shëndetin tuaj dhe të familjes, më e rëndësishme është shëndeti sesa politika apo dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, tha Zemaj.
Deri tani, në Kosovë janë konfirmuar 54 raste të vdekjeve të personave me COVID-19.