Ministria e Arsimit thotë se nuk është tërhequr nga kompensimi i orëve të humbura

15:23 | 04 April 2019

Ministria e Arsimit thotë se nuk janë tërhequr nga kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

MASHT-i përmes një reagimi për media ka sqaruar se “në asnjë rast nuk është deklaruar dhe as marrë vendim për tërheqje nga qëndrimi për zëvendësim të orëve”.

“MASHT konfirmon edhe njëherë se jemi të gatshëm të rishikojmë dhe analizojmë të gjitha mundësitë për të gjetur një formulë të re të zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës dhe të tërheqim formulën aktuale të kompensimit të orëve”, theksohet në reagimin e MASHT-it.

Ashtu siç jemi dakorduar në Komisionin Parlamentar për Arsim, MASHT-i thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojmë me SBASHK-un dhe të gjithë akterët e tjerë për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për kompensimin e orëve, duke plotësuar kërkesën e SBASHK-ut për tërheqje nga formula aktuale e paraparë me vendimin për kompensim të orëve.

“Aktualisht, jemi duke pritur që SBASHK-u të diskutojë në Këshillin Drejtues për opsionet për të zgjidhur situatën e krijuar në procesin e zëvendësimit të orëve sipas konkluzioneve të dakorduara në mes të Komisionit Parlamentar, MASHT-it, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, theksohet në fund të sqarimit nga MASHT-i.

Komento: