Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bizneseve të sektorit privat sot janë takuar me ministren e Bujqësisë, Dijana Zhiviq.
Ndryshimi i udhëzimeve administrative të cilat kufizojnë tokën me kohëzgjatje deri maksimum 5 vjet, sipërfaqen maksimum 5 hektar, çmimi prej 2 mijë euro për hektar në vit, dhe eleminimi i këtyre pengesave ishin arsyet kryesore të takimit të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bizneseve të sektorit minerar me ministren e Bujqësisë, Dijana Zhiviq.
Siç bëhet e ditur në njoftim, kryetari i Bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, falënderoi ministren e Bujqësisë, Dijana Zhiviq dhe kabinetin e saj për gatishmërinë e takimit të radhës dhe tha se kjo tregon një vullnet dhe dëshirë për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballen bizneset e këtij sektori, shkruan lajmi.net.
Krasniqi theksoi se është hera e parë që ekziston një vullnet i tillë dhe besojmë që me vullnetin tuaj mund të zgjidhim shumë probleme, të cilat janë evidentuar dhe për të cilat jeni njoftuar përgjatë takimeve të shumta që kemi pasur së bashku.
Krasniqi shtoi se në takimin e fundit që kishim së bashku kemi diskutuar rreth disa pikave të cilat janë në kompetencën e MBPZHR të cilat përfshijnë kufizimin e sipërfaqes dhe çmimin e të njëjtat mund të ndryshohen dhe disa pika të tjera të cilat duhet të kalojnë përmes ligjit, prandaj dëshirojmë të dëgjojmë vendimet sa i përket këtyre çështjeve nga ana juaj.
Ministrja Zhiviq u shpresh se i vjen mirë për takimin e radhës dhe u deklarua e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi duke ofruar përkrahje në zgjidhjen e problemeve të evidentuara e që janë në kompetencë të Ministrisë së Bujqësisë, gjithmonë duke qenë në përputhje me ligjin.
Ndërsa deputeti dhe kryetari i Partisë së SLS, Slobodan Petroviq, deklaroi se kanë një vullnet për ta kryer këtë çështje duke e ditur çfarë telashe ka ky sektor, dhe kërkesat e OAK janë të gjitha në rregull andaj do të lehtësojnë zgjidhjen e problemit me ndihmën e ekspertëve ligjor të fushave dhe se në pyetje është vetëm periudha kohore sepse nuk ka mundësi që kjo çështje të mos zgjidhet.
Më tej Petroviq njoftoi OAK-në dhe bizneset që sot do ta dërgojnë në Qeveri ligjin për bujqësi, nuk ka kthim prapa dhe se ligji i ri rregullon kërkesat e OAK-së në detaje, andaj shumë shpejt do të procedohet.
Anëtari i OAK-së, Hysni Zogaj tha se ne vetëm jemi duke kërkuar që ligji të zbatohet dhe udhëzimet adminstrative të bëra kohë më parë nga disa ministra të ndryshohen, pasiqë po krijojnë shumë probleme për bizneset e sektorit të Bujqësisë dhe Minierave e Mineraleve.
Zogaj njoftoi se kanë shkuar në takim me rreth 100 biznese të këtij sektori duke theksuar se nuk kanë shkuar që të protestojnë, por të shprehin pakënaqësinë në këtë ministri lidhur me pengesat e krijuara për vite me radhë.
Në fund të takimit ministrja Zhiviq premtoi që deri me datën 2 maj do të punojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe do të japin një përgjigje definitive sa i përket ndryshimit të këtyre udhëzimeve administrative të cilat po pengojnë të bërit biznes.
Ndërsa, në rast se deri më datën 2 maj nuk bëhet ndryshimi i udhëzimeve administrative, bizneset e këtij sektori do të marrin masa, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e protestave.