Ministria e Bujqësisë: Edhe në vitin 2024 bujqit do të subvencionohen pothuajse njëjtë sikur në vitin 2023

11:00 | 30 Dhjetor 2023
ministria-e-bujqesise:-edhe-ne-vitin-2024-bujqit-do-te-subvencionohen-pothuajse-njejte-sikur-ne-vitin-2023

Ministria e Bujqësisë për vitin 2024 do të ketë një buxhet prej 89.4 milionë euro.

E, nga këto mjete edhe për vitin 2024 do të ketë subvencione për bujqit.

Subvencionet edhe për vitin e ardhshëm do të jenë pothuajse të njëjta me ato të vitit 2023.

Kështu, kanë bërë të ditur për Front Online nga zyra për komunikim e kësaj ministrie.

“Përkrahja e fermerëve përmes Subvencioneve ka filluar para shumë vitesh (2008) me vlerë të vogël të mjeteve, si dhe vetëm për disa kultura. Për fat të mirë, vlera e mjeteve për subvencione ka pësuar rritje nga viti në vit, gjë që ka mundësuar edhe përfshirjen e nënsektorëve të tjerë. Aktualisht përmes Programit për Pagesa Direkte mbështeten 28 nënsektorë dhe në total shuma e mjeteve që përfitojnë fermerët e kalon shumën e 62 milionë Eurove. Edhe në vitin 2024, mbështetja e fermerëve përmes subvencioneve do të vazhdoj dhe përafërsisht do të jetë e njëjtë, si për sektorët që do të përkrahen, e po ashtu edhe sa i përket shumës së mjeteve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Front Online.

Të pyetur se cilat do të jenë politikat e ministrisë për të stimuluar bujqit që ta punojnë tokën edhe në vitin e ardhshëm, nga ky dikaster kanë bërë të ditur se mbështetja më e madhe për ta është programi i pagesave direkte dhe programi për zhvillim rural.

“Stimulimi më i madh për fermerët nga ana e MBPZHR-së është përkrahja e tyre përmes dy programeve mbështetëse për fermerët: Programi i Pagesave Direkte – Subvencionet dhe Programi për Zhvillimit Rural – Grantet. Natyrisht, që për zbatimin e këtyre dy programeve mbështetëse organizohen sesione informuese për fermerët me qëllim të njoftimit sa më të mirë dhe të drejtë për mundësitë e përfitimit të përkrahjeve që i ofron MBPZHR-ja”, thuhet më tutje në përgjigjen e ministrisë.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë treguar edhe mënyrën se si janë subvencionuar bujqit për vitin 2023, duke ia bashkëngjitur linkun.

Më poshtë e gjeni të bashkëngjitur linkun e Programit për Pagesa Direkte 2023:

https://mbpzhr-ks.net/repository/docs/664__Programi_per_Pagesa_Direkte_per_vitin_2023_compressed1.pdf./

FrontOnline/

Komento: