Ministria e Bujqësisë i injoroi duke i lënë bujqit e Ferizajit pa subvencione

22:30 | 18 Korrik 2022

Bujqit e Ferizajt kanë mbetur pa përfituar nga subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë.

Mbi 180 bujqë të Ferizajt kanë mbetur pa aplikuar për subvencione në Ministrinë e Bujqësisë si shkak i afateve ligjore për aplikim. Ata gishtin tregues për fajin e kanë drejtuar kah Komuna e Ferizajt dhe Ministria e Bujqësisë.

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net nga Ministria e Bujqësisë thuhet se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka respektuar kërkesën e komunave për shtyrje të afatit të aplikimit për subvencione për 5 ditë, por në anën tjetër sipas e-mailave që i posedon lajmi.net, komuna e Ferizajit kishte kërkuar shtyje të afateve për 10 ditë, shkruan lajmi.net.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, më datë 26 prill të vitit 2022 e kishte hapur periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2022. Ky afat, i cili fillimisht ishte i hapur deri më 25 maj 2022, me kërkesë të 11 Drejtorive Komunale për Bujqësi, ishte shtyrë deri më 1 qershor të këtij viti në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për të cilën gjë me kohë i kishim njoftuar të gjithë të interesuarit në këtë proces. Po ashtu, duhet theksuar se pas shtyrjes së këtij afati, deri më datë 1 qershor në MBPZhR nuk ishte pranuar asnjë kërkesë për ndonjë shtyrje tjetër të këtij afati. Rrjedhimisht pas mbylljes së afatit, pra më datë 1 qershor ishte mbyllur edhe sistemi për aplikime, procedurë kjo e cila parashihet edhe me udhëzimet në fuqi.

Ndërkaq, pas mbylljes së këtij afati (1 qershor), Komuna e Ferizajt e kishte përcjellë një kërkesë për shtyrje të afatit më datën 3 qershor, pra dy ditë pas mbylljes përfundimtare të afatit, e rrjedhimisht edhe të sistemit të aplikimeve, periudhë kjo kur Drejtoria e Pagesave Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë kishte filluar t’i pranonte lëndët e fermerëve aplikues nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi.

Pra, sa i përket procedurave administrative, duhet theksuar se të gjithë fermerët aplikimin për pagesa direkte/subvencione e realizojnë secili nëpër komunat e tyre ku jetojnë dhe në këtë rast përgjegjësia e neglizhencës për mos-menaxhim të situatës me aplikim në Programin e Pagesave Direkte i bie tërësisht Komunës në fjalë.

Ndërkaq, pas pranimit të këtyre lëndëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte, duke filluar nga kontrolla/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj edhe kontrollat në terren. Pas përfundimit të këtyre hapave, bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit, që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ.”, thuhet në përgjigjën e MBPZHR-së për lajmi.net.

Pavarësisht se në këtë e-mail thuhet se “pas mbylljes së këtij afati (1 qershor), Komuna e Ferizajt e kishte përcjellë një kërkesë për shtyrje të afatit më datën 3 qershor, pra dy ditë pas mbylljes përfundimtare të afatit, e rrjedhimisht edhe të sistemit të aplikimeve, periudhë kjo kur Drejtoria e Pagesave Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë kishte filluar t’i pranonte lëndët e fermerëve aplikues nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi.”, lajmi.net posedon dëshmi se një kërkesë e tillë ishte përcjellur edhe para datës 1 qershor.

Më datë 23 maj, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami kishte dërguar një e-mail në drejtim të e-mailit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ndonëse në e-mailin e tij sa ishte duke punuar në Presidencë, por me atë çfarë ka parë lajmi.net në faqen e MBPZHR-së, e-maili i ministrit nuk është publik.

Në këtë e-mail të Bajramit, shtrohej kërkesa për shtyrje të afatit për aplikim për subvencione për të paktën 10 ditë pune, sipas e-mailit me qëllim që të eliminohen edhe gabimet e mundshme gjatë aplikimit.

“Meqenëse këto ditë po ballafaqohemi me një vlug të madh të fermerëve të cilët aplikojnë për subvencione dhe duke marrë për bazë afatin e shkurtër për aplikim me mirësjellje kërkoj që ky afat për aplikim të shtyhet për të paktën edhe dhjetë ditë pune me qëllim që të eliminohen edhe gabimet e mundshme gjatë aplikimit!”, thuhej në e-mail.

Të njëjtën e-mail, Bajrami e kishte drejtuar edhe në arkivën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por si duket nuk kishte marrë përgjigje as në këtë rast.

Gjithashtu, të njëjtin e-mail, Bajrami e kishte dërguar edhe në adresën e Ismajl Kastratit, që është zëvendës Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e po ashtu në adresë të Isuf Cikaqit, Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregjeve, dikaster nën të cilin funksionon edhe Divizioni për Përkrahje Direkte, Politika Tregtare dhe Tregje, por sërish nuk kishte pranuar përgjigje, e-mail i njëjtë ishte dërguar edhe në adresë të Imer Limanit.

Në një tjetër e-mail që mban datën e 27 majit, Bajrami kishte përcjellur e-mailin me kërkesën e njëjtë për shtyrjen e afatit të aplikimeve për 10 ditë pune në adresë të ministrit Peci, Cikaqit e Limanit por pavarësisht kësaj, përgjigje nuk kishte marrë.

E-mailin e datës 27 maj, të dërguar në adresë të Pecit, Cikaqit e Limanit, Bajrami e kishte dërguar/përcjellur edhe në adresë të zëvendësministrit të Bujqësisë, Imri Demelezi, siç dëshmohet edhe më poshtë.

Pavarësisht se nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, Bajrami kishte dërguar edhe një kërkesë në adresë të zyrtarëve të kësaj ministrie për shtyrje të afatit të aplikimeve edhe më datë 3 qershor. Në këtë e-mail, të përfshira ishin adresat e Ministrit Faton Peci, të Isuf Cikaqit, Imer Limanit, zëvendësministrit Imri Demelezi dhe Ismajl Kastratit. Edhe në këtë e-mail shprehet shqetësimi i Komunës së Ferizajt për çështjen e zgjatjes se afateve për aplikim për subvencione. Dhe në fakt, kjo është kërkesa e vetme që përmendet nga Ministria e Bujqësisë.

Lajmi.net ka kërkuar sqarime shtesë nga Ministria e Bujqësisë por këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

Komento: