Ministria e Bujqësisë investon në ndërtimin e kanalit të ujitjes në Junik.

19:10 | 25 July 2019

Investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes nëpër komuna po vazhdojnë të rriten nga viti në vit. Për realizimin projektit që përfshin ndërtimin e një pende edhe kanali të ujitjes në Komunën e Junikut, MBPZHR-ja ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me këtë komunë.

Me këtë rast, ministrja e MBPZhR-së, Dijana Zivic, ka treguar se këto investime në ndërtimin e kanaleve të ujitjes dhe zgjerimin e sistemeve ekzistuese do t’i vazhdojnë në të gjithë komunat e Kosovës në mënyrë që të përfshijnë sipërfaqe më të mëdha nën ujitje dhe kjo sipas saj do të jetë prioritet për ministrinë nga viti në vit.

“Ujitja kontribuon në rritjen e rendimenteve dhe stabilizimin e prodhimit të bimëve. Avantazhi më i madh i sistemit të ujitjes është sigurimi i prodhimit të lartë dhe të cilësisë, pavarësisht nga kushtet klimatike të vitit, MBPZHR synon të vazhdojë investimet në sistemet e ujitjes”, tha Zivic.

Në anën tjetër, Agron Kuçi, kryetar i Komunës së Junikut, ka falënderuar ministren për mbështetjen e vazhdueshme të MBPZHR-së në përkrahjen e sektorit të bujqësisë në këtë komunë. Ai ka vlerësuar projektin duke thënë se investimet e tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e bujqësisë në këtë komunë.

Komento: