Ministria e Bujqësisë: Mbështetja financiare për fermerët nuk mund të njolloset me tendenca politike paraelektorale – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ministria e Bujqësisë: Mbështetja financiare për fermerët nuk mund të njolloset me tendenca politike paraelektorale

13:56 | 02 Gusht 2019

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mbështetjen e sektorit të bujqësisë që nga viti 2008 e deri më tani e realizon në kuadër të dy programeve, Programit për Zhvillim Rural dhe Programit për Pagesa Direkte – Subvencione, të cilat hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe në Plotësim-Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe në udhëzimet administrative.

I gjithë procesi për mbështetjen e fermerëve në kuadër të këtyre programeve, që nga shpallja e thirrjeve dhe vlerësimi i të gjitha aplikacioneve për grante dhe subvencione bëhet bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program, të cilat çdo vit publikohen në faqen e Ministrisë së Bujqësisë dhe në atë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Po ashtu, AZHB-ja e bënë edhe informimin e fermerëve përmes mesazheve dhe vendimeve me email, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja njofton se ka rënë edhe numri i ankesave të fermerëve të adresuara në MBPZHR dhe AZHB lidhur me procesin e përfitimit të subvencioneve dhe granteve investive.

Prandaj, këto procese dhe mbarëvajtjen e ndarjes së mbështetjes financiare për fermerët nuk mund ta njollos asnjë tendencë politike, përkundër përpjekjeve paraelektorale që subjektet politike mund t’i kenë.

MBPZHR-ja ka qenë dhe është e hapur gjatë gjithë kohës në shërbim të fermerëve dhe palëve tjera me interes, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, ku kjo është dëshmuar shumë herë kur procesi i vlerësimit të aplikacioneve të granteve është bërë në mënyrë të hapur edhe para mediave dhe shoqërisë civile.

Krahas kësaj, të gjitha listat e përfituesve të subvencioneve dhe granteve investive çdo vit bëhen publike në ueb-faqen e ministrisë dhe AZHB-së, ku kanë qasje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

MBPZHR-ja mbetet e përkushtuar për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të publikut në çdo kohë për të gjitha proceset që ndërlidhen me mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!