Ministria e Bujqësisë, mbi 20 milionë euro për fermerët e Kosovës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ministria e Bujqësisë, mbi 20 milionë euro për fermerët e Kosovës

10:29 | 23 Maj 2019

Mbi 20 milionë euro për fermerët e Kosovës nga Ministria e Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dje ka hapur periudhën për aplikim për disa nga masat mbështetëse për këtë vit, përmes granteve investive për fermerët në gjithë territorin e Kosovës.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Mevludin Krasniqi, tha se thirrjet për aplikim janë hapur për masën 101, përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore, për masën 103 përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, për masën 302 përmes së cilës përkrahen investimet në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, për masën e ujitjes së tokave bujqësore, për masën 303, përmes së cilës përkrahen investimet në përgatitjen dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit lokal –Qasja Leader – Për grupet lokale të veprimit (GLV)- të përzgjedhura.

Sipas tij gjatë periudhës për aplikim, e cila është hapur sot më 22 maj e që zgjatë deri më 01 korrik 2019, fermerët dhe agrobizneset mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të këtyre masave, duke u bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program dhe që janë publike në faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

“Buxheti për zhvillim rural, këtë vit arrin në 20,500,000.00 euro. Ka shumë kërkesa nga bujqit për të mbështetur ata”, tha ai sot në emisionin “Studio e Hapur”, në RTK3.

Ndryshe për të gjitha procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm, fermerët dhe agrobizneset do të mund t’i gjejnë informacionet në uebfaqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, dhe në uebfaqen e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Po ashtu, ata mund të informohen edhe në Zyrat Rajonale të AZHB-së.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!