Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, edhe gjatë vitit 2019, në forma të ndryshme do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të
bujqësisë dhe zhvillimit rural, por dy instrumentet më të rëndësishme të politikave të ministrisë do të jenë Programi i Zhvillimit Rural dhe Programi i Pagesave Direkte. Buxheti për këto dy programe zhvillimore për vitin e ardhshëm është planifikuar të jetë 50.7 milionë euro. Kështu është thënë sot në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku para anëtarëve të këtij komisioni, kanë raportuar zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, si dhe U.d. i Kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë(AZHB), Ekrem Gjokaj.
Zëvendësministri, Mevludin Krasniqi, ka treguar se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë në total për vitin 2019 do të jetë rreth 61.4 milionë euro. Ndërkaq, përmes buxhetit të planifikuar për programet zhvillimore, që ky buxhet arrin në mbi 50 milionë euro, ai tha se synojnë rritjen e prodhimit bujqësor, rritjen e aftësisë konkurruese të sektorit agroushqimor, si dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmirësimin e jetës në zonat rurale.
“Ministria e Bujqësisë, viteve të fundit ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive. Këto investime të ministrisë, përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2019 janë planifikuar të jenë në vlerë prej 25,7 milionë euro, ndërsa investimet e ministrisë përmes pagesave direkte planifikohen të jenë rreth 25 milionë euro”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi.
Ai ka treguar se nga viti në vit është rritur numri i përfituesve të granteve investive, duke treguar se nga 403 përfitues sa ishte në vitin 2014, ku numër në vitin 2018 ka arritur në mbi 600 përfitues, gjë që sipas tij tregon edhe njëherë për rritjen e mbështetjes së ministrisë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka treguar se të gjitha programeve zhvillimore të ministrisë, iu bëhet monitorimi i implementimit të tyre, ku me këtë rast ai ka treguar edhe për vendimet e fundit të ministrit të MBPZHR-së, për kontrollet në terren për të parë implementimin e projekteve bujqësore. Ai ka thënë se gjatë vitit të ardhshëm, kjo ministri ka planifikuar edhe investime milionëshe në sistemet e ujitjes, gjë që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin dhe lehtësimin e veprimtarive bujqësore në mbarë vendin.
Ndërkaq, U.d i Kryeshefit të AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka prezantuar implementimin e programit të subvencioneve dhe granteve gjatë këtij viti.
Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje të komisionit, përfaqësuesit e MBPZHR-së, iu janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij komisioni, të cilat ishin lidhur me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në vend.