Ministria e Financave ka një njoftim për qytetarët lidhur me tatimin në pronë

15:02 | 29 April 2023

Tatimi në pronë, Ministria e Financave ka një njoftim për qytetarët.

Ministria e Financave i ka njoftuar qytetatarët se kanë afat edhe nesër për ta kryer pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë, raporton Express.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria ka njoftuar se Projektligji i ri për Tatimin në Pronë, përmes së cilit parashihet falja deri në 10 euro e faturave për këtë vit, është dërguar në Kuvend, por ende s’i ka kaluar të dyja leximet.

Ministria ka sqaruar se falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, do t’u llogaritet si parapagim për këstet e tjera.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë, pagesa e tatimit në pronë mund të bëhet në dy këste. Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator. Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend.

Theksojmë që, bazuar në Projektligjin e Tatimit në Pronë, falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Komento: