Zgjatet deri më 30 qershor afati për pagesën e tatimeve.
Ministri i Financave dhe Trasnfereve, Bekim Bislimi ka marrë vendim që afati për pagesën e tatimeve të zgjatet deri më 30 qershor.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Ministria e Financave ka njoftuar se tatimpaguesit të cilët janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë, munden që të bëjnë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste.
“Pavarësisht pikës 1 të këtij Vendimi, afati për deklarimin e tatimeve sipas pikës 1 të këtij vendimi mbetet deri me datën 30 prill 2020 dhe bëhet në pajtim me legjislacionin tatimor në fuqi. Ky Vendim do të zbatohet për të gjithë tatimpaguesit të cilët në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë për këto lloje tatimesh”, thuhet në njoftim.
Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve afati për deklarim dhe pagesë përfundon me datën 30 prill 2020 sipas Vendimit Nr. 26/2020 të datës 19.03.2020, të Ministrit të Financave dhe Transfereve.