Ministria e Financave tregon se sa para janë mbledhur nga diaspora për përballjen me Covid-19

23:07 | 24 Maj 2020

Ministria e Financave ka treguar se sa para janë mbledhur nga diasporta për përballjen me koronavirus.

Qeveria hartoi pakon emergjente fiskale dhe përmes saj tentoi t`i ndihmonte biznes. Por kjo ndihmë po del të jetë e pamjaftueshme që ato ta marrin vetën nga këto 2 muaj që nuk punuan.

Madje për tu përballur me këtë gjendje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kërkoi ndihmë edhe nga bashkëatdhetarët.

E sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, deri më tani në këtë llogari të dedikuar enkas për përballjen me COVID 19 janë mbledhur mbi 700 mijë euro.

Ndërkohë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka paralajmëruar se nëse diaspora nuk ka mundësi të vijnë në Kosovë, rrezikojmë mbi 1 miliard euro humbje.

Ndërsa edhe të hyrat nga remitencat këtë vit janë në rënie e sipër.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 4 mujorshin e parë të vitit, ka rënie të të hyrave nga remitencat për 14% në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërkohë kjo rënie e të hyrave nga remitencat po shqetëson ekonomistët e vendit.

Mustafë Kadriaj e cilëson 2020-tën si vit të rimëkëmbjes ekonomike, e jo si vit zhvillimor.

Sipas tij, mënyra më e mirë e daljes nga kjo krizë ekonomike është mbështetja financiare nga ndërkombëtarët.

Apo në rastin tjetër, marrja e borxheve afatgjate nga institucionet relevante.

Ndërsa sa i përket pakos së rimëkëmbjes ekonomike, e njëjta është duke u dizajnuar nga grupi që udhëhiqet nga zv. Ministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu.

Nga kjo Ministri kanë thënë që së shpejti do ta përgatisin pjesën e dytë të pakos fiskale që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike.

Komento: