Ministrja e Integrimeve Evropian, Dhurata Hoxha ka raportuar sot para komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë bërë një varg kritikash ndaj ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, për mos zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), që ka rezultuar me humbjen e dhjetëra miliona eurove nga Bashkimi Evropian.
Deputeti Armend Zemaj theksoi se Kosova i ka humbur 14 milionë euro për moszbatimin e 11 kushteve ndaj Bashkimit Evropian, dhe kjo Ministri nuk ka përmbushur 60 përqind të masave për MSA-në.
Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri theksoi se është me rëndësi të thuhet se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, korrupsioni dhe krimi i organizuar shuajnë shpresat se do të ketë shpejt liberalizim të vizave.
Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate theksoi se ka pasur mjaft gënjeshtra nga pushtetarët se do të ketë liberalizim të vizave. Zeka ka kërkuar nga Ministria e Integrimeve që të përmbushen kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit Blerta Deliu- Kodra duke iu referuar rastit të fundit të anëtarit të Bordit të Telekomit, ka kërkuar nga ministrja Hoxha që të ndalen punësimet në borde që janë politike.
Lidhur me këtë, deputeti Milaim Zeka ka pranuar se rasti i anëtarit të Bordit në Telekom, Osman Ejupi që i ka punësuar katër fëmijët e tij në këtë kompani është nga radhët e NISMA-s.
Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha humbjen e miliona eurove nga BE, i ka quajtur spekulime.
Hoxha ndër të tjera ka thënë se sa i përket taksës ndaj Serbisë, kjo Ministri nuk ka marr ndonjë reagim që mund të ketë ndërlidhje me liberalizimin.
Ndërsa, për çështjen e liberalizimit të vizave, Hoxha ka thënë se nuk qëndron fakti se kjo Ministri nuk ka pasur angazhim serioz.
Kurse, ka pranuar se disa nga prioritet e ERA-s dhe MSA-së nuk janë zbatuar, por që pret të zbatohen në vazhdim.
Deputetja Fatmire Kollçaku nga Vetëvendosje tha se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit janë në fund të listës për zbatimin e masave të MSA-së. Ajo shtoi se Kosova ka dështuar në planin e integrimeve.