Ministria e Integrimeve sqaron kontratën me kompaninë lobuese amerikane – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ministria e Integrimeve sqaron kontratën me kompaninë lobuese amerikane

21:59 | 11 Korrik 2019

Ministria e Integrimit Evropian sqaron kontratën me kompaninë lobuese amerikane.
Ministria e Integrimit Evropian është sqaruar lidhur me kontratën me kompaninë këshilluese nga SHBA-ja “Madison Global Strategies LLC”.

Ata kanë thënë se kjo kontratë është lidhur për t’u ballafaquar me ofensivën e Serbisë kundër Kosovës.

“Duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata thonë se, kjo kompani këshilluese fushëveprimin e punës dhe aktivitetet lobuese për shtetin e Kosovës nuk i ka të kufizuara vetëm në SHBA, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

MIE ndër të tjera thotë se kjo marrëveshje ka qenë dhe është krejtësisht transparente dhe ligjore.

“Asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur. Të gjitha detajet e saj janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Siç edhe mund të shihet në kontratën publike, palë kontraktuese në këtë marrëveshje janë vetëm Ministria e Integrimit Evropian dhe kompania në fjalë”, njofton ministria.

Sipas tyre, baza ligjore e Republikës së Kosovës, e lejon parimin e konfidencialitetit në rastet e lidhjes së kontratave për çështje të ndryshme me interes shtetëror.

“Mirëpo, fakti që kjo kontratë është tërësisht publike, dëshmon se nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe është praktikë mëse normale për çdo shtet”, përfundojnë ata.

Kontrata në mes Ministrisë dhe kompanisë “Madison Global Strategies LLC” është në kohëzgjatje prej nëntë muajsh ndërkaq vlera e saj totale është 171.000,00 euro.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!