Anëtarësimi i Kosovës në KiE i pakthyeshëm, thotë Ministria e Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe nuk ka dështuar ashtu siç raportuan disa media gjatë ditës së djeshme.
“Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të angazhohet që faza e parë të kalohet sa më parë”.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit. Në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”.
MPJD-ja, nëpërmjet një kumtese, ka sqaruar edhe tri fazat e votimit për anëtarësim në KiE-së teksa Kosova është në fazën e parë.
“Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
“Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës” thuhet në kumtesë.