Ministria e Jashtme mohon pretendimet e Vuçiqit për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës

18:03 | 05 January 2023

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës rreth këtij pretendimi.

“Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas Ministrisë së Jashtme, çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.

“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, bëhet e ditur tutje.

Presidenti Vuçiq ka deklaruar të mërkurën se Serbinë e presin sfida të vështira lidhur me Kosovën, ndërsa ka theksuar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.

Në konferencën vjetore për shtyp, Vuçiq ka theksuar se 106 vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, 84 e pranojnë pa mëdyshje, kurse tri shtete “nuk janë të qarta”.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, është shprehur ai.

Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë, që autoritetet e Kosovës shpallën më 2008.

Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ishte pajtuar që për një vit të ndalonte përpjekjet për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova ishte pajtuar që brenda kësaj periudhe të mos aplikonte për anëtarësim në ndonjë mekanizëm apo institucion ndërkombëtar.

Pas skadimit të këtij moratoriumi, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të vazhdojë respektimin e tij.

Komento: