Ministria e Punëve të Brendshne: Furnizohet me material bazik për pasaporta e patentë-shofer: Nga marsi s’do të ketë më probleme

14:57 | 26 January 2023

MPB furnizohet me material bazik për pasaporta e patentë-shofer: Nga marsi s’do të ketë më probleme.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), gjatë kësaj jave është pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale si pasaporta dhe patentë-shofer.

Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, në një prononcim për Telegrafin tha se sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë kontraktuese, me pjesën tjetër të materialit do të furnizohen në fillim të shkurtit dhe marsit, kur edhe pritet që kjo problematikë të marrë fund.

“Ashtu siç kemi premtuar, një pjesë e materialit bazik për prodhimin e dokumenteve personale ka arritur në Kosovë gjatë kësaj jave. Në fillim të muajit shkurt dhe mars do të arrijë pjesa tjetër e materialit, bazuar në kontratë. Gjendja aktualisht është stabilizuar dhe qytetarët janë duke u pajisur me dokumente persona”, deklaroi Fetoshi.

Kosova po përballet me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

Së fundmi telashet më të mëdha kanë qenë me prodhimin e pasaportave dhe patentë-shoferëve, ndërsa muaj më parë, telashe ka pasur edhe me prodhimin e letërnjoftimeve.

Më 7 janar, është raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.

Ai ka theksuar se për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera është duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, thuhet në letrën, e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Ministri kishte thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punuar me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”, kishte deklaruar Sveçla.

Një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga MPB-ja, por vetëm nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila ka deklaruar se Qeveria Federale e Gjermanisë është duke e shqyrtuar kërkesën e ministrit.

Nga Ambasada gjermane kanë shtuar se kërkesa e Sveçlës është kufizuar “në lejimin e rihyrjes në Gjermani për shtetasit kosovarë që jetojnë në Gjermani me leje qëndrimi të vlefshme, dhe foshnjat me shtetësi kosovare që kanë lindur në Gjermani dhe ende nuk u është lëshuar pasaporta e Kosovës”.

Komento: