Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se Vendimi për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse ka skaduar.
Lidhur me këtë, MINT thotë se në rast të rritjes së çmimeve në mënyrë të paarsyeshme do të nxirret sërish vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse.
“Në rast të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të nxjerr vendim për rregullimin e çmimeve dhe masat e tjera mbrojtëse, sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrotjëse dhe me evidencë nga raportet ditore nga Inspektorati i Tregut, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe në konsultim me Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe konsumatorët”, njofton MINT.
Sipas tyre, aktualisht çmimi i derivateve në treg rrjedh si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të importuara.
“Në bazë të evidencave dhe analizave të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut dhe Departamentin e Naftës (MINT), çmimi i derivateve sot në treg rrjedh si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të importuara”, përfundon njoftimi.