Ministria pagoi 800 mijë euro për punët që nuk u kryen në Veternik

18:24 | 04 Shtator 2021

Zgjerimi i rrugës në Veternik, që u përurua në vitin e kaluar ka përfunduar në hetuesi.

Ditë më parë lajmi.net ka shkruar se pronarët e kompanisë “Eskavatori” po kërkojnë para shtesë në vlerë mbi 200 mijë euro nga Ministria e Infrastrukturës për projektin që u përurua vitin e kaluar “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.

Me këtë rast, ministria pati autorizuar një trup inspektuese që të konstatojë gjendjen në terren.

Lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta se komisioni i autorizuar i ministrisë, ka marrë mostrat nga shpimet dhe nga disa kontrolle tjera që ka bërë në këtë rrugë dhe të njëjtat i ka shqyrtuar në laboratorin e autorizuar të ministrisë. Nga këto mostra është konstatuar se mungojnë disa prej sasive që figurojnë në kontratë, për të cilat janë bërë edhe pagesat. Vlerësohet që sasitë që mungojnë janë në vlerë prej afro 800 mijë eurove. Këto sasi që mungojnë kryesisht kanë të bëjnë me shtresat nën asfalt.

Burime brenda ministrisë thanë se e kanë dërguar në hetuesi raportin e komisionit të ministrisë, i cili ka nxjerr disa të gjetura.

Vlera e këtij projekti ka qenë vlera 2,504,150 euro dhe ishte paraqitur nevoja e punëve shtesë për asfaltimin e rrugëve alternative të cilat duhej të përdoreshin për kalimin e automjeteve gjatë periudhës së punimeve, të cilat nuk ishin të parapara me projekt. Edhe pse kërkesa e aprovuar nga komisioni i formuar dhe nga ZKA ishte dorëzuar, zyra e prokurimit as në vitin 2020 nuk kishte nënshkruar aneks kontratën. Për këtë projekt ishte bërë pranimi teknik i pjesshëm më 29.12.2020, ndërsa disa aktivitete tjera ishin ndërprerë deri në nënshkrimin e aneks kontratës. Sasitë e pozicioneve të realizuara pa aneks kontratë në situacionin e tretë komulativ kanë qenë 18,771 euro.

Ditë më parë lajmi.net ka kërkuar disa sqarime nga ministria lidhur më këtë çështje, por ky dikaster nuk ka kthyer përgjigje.

Komento: