Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami u ka bërë thirrje bizneseve që kanë detyrime tatimore ndaj shtetit, t’i paguajnë ato deri më 31 dhjetor të këtij viti, për të mos u ngarkuar me interes.
Bajrami ka deklaruar se njëra nga masat e Pakos së Rimekëmbjes Ekonomike, e cila hyri në fuqi rreth një javë më parë, parasheh lirimin nga interesi për bizneset që paguajnë obligimet tatimore në ATK deri më 31 dhjetor.
“Ju bëjë thirrje bizneseve që të shfrytëzojnë këto pak ditë që kanë mbetur për të paguar obligimet e tyre tatimore ndaj Administratës Tatimore, në mënyrë që të përfitojnë nga njëra prej masave të Ligjit për Rimekëmbje Ekonomike, që është lirimi nga interesi nëse borxhi paguhet deri në 31 dhjetor të këtij viti”, ka thënë Bajrami, në një paraqitje për media pas një vizite të realizuar në ATK.
Bajrami ka falënderuar menaxhmentin e ATK-së për angazhimin në zbatimin e masave të vendosura me Ligjin për Rimekëmbjen Ekonomike.
Bashkë me ministren Bajrami, ATK-në e vizitoi mëngjesin e sotëm edhe kryeministri Avdullah Hoti.