Ministrja e Arsimit: Po shtohen shkollat që po e fillojnë mësimin

23:48 | 19 Shtator 2022

Arsimi kosovar po vazhdon të jetë në grevë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin “DPT te Fidani” të T7, ka treguar se cilat shkolla kanë filluar mësimin. Derisa tha se ky numër po shtohet, Nagavci akuzoi komunat që nuk po japin të dhëna.

“Aktualisht janë disa shkolla, jo mjaftueshëm sa kemi dëshirë, dallon prej komunës në komunë, por e mira është numri i tyre po vjen duke u shtuar. E dimë se në Gjakovë për shembull kemi diku 6 shkolla që po zhvillohet mësimi në nivelin fillor, prej klasës së parë deri në të pestën, një numër i konsiderueshëm i shkollave në Podujevë e në Kamenicë, ka disa klasa në Prishtinë, në shkollën “Faik Konica”, në “Ismail Qemali”. Në komuna të ndrushme janë kryesisht në nivel të klasave, sot ka fillu punën edhe gjimnazi në Fushë Kosovë, që mendoj se htë një gjë shumë e mirë”, tha ajo.

“Raportet janë duke u përpunuar nga zyrtarët e minsitrisë. Këtu kemi një sfidë, sepse jo të gjitha komunat bashkëpunojnë dhe i përcjellin të dhënat. Komuna si Prishtina e Fushë Kosova nuk i përcjellin të dhënat, kështu që detyrohemi që me zyrtarë të ministrisë, me inspektorë të bëjmë vizita në terren”, deklaroi Nagavci.

BSPK, përfshirë edhe SBASHK, janë në grevë që nga 25 gushti. Ata po kërkojnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat.

Komento: