Ministrja e Drejtësisë: Nuk ka pasur marrëveshje me terroristët

23:53 | 05 Tetor 2023
ministrja-e-drejtesise:-nuk-ka-pasur-marreveshje-me-terroristet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se sulmi terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka qenë i pritshëm “duke e marrë parasysh qasjen kriminale të Serisë ndaj Kosovës”.

Qëllimi kryesor sipas saj ka qenë aneksimi i veriut.

“Sigurisht, personalisht nuk kam pasur informacione. Kanë qenë të pritshme. Duke pasur parasysh qasjen kriminale të Serbisë ndaj Kosovës. Duke pasur parasysh qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, qëllimi ka qenë aneksimi I veriut. Ka qenë ditë e rëndë. E falënmderoj publikisht Policinë e Kosovës, njësitet anti-terror”, ka thënë ajo në “Debat Plus”.

Haxhiu i ka mohuar zërat se ka pasur marrëveshje për t’i lënë të ikin terroristët nga manastiri i Banjskës.

“Kushdo që thotë se ka pasur ndonjë marrëveshje tenton ta zbehë punën e Policisë së Kosovës, ka për qëllim ta njollos Qeverinë e Kosovës, nuk ka pasur marrëveshje dhe nuk do të ketë marrëveshje me grupe terroriste dhe as me Qeverinë e Serbisë për ti amnistuar terroristët”, ka thënë ajo.

Ajo tha se hetimet për sulmin terrorist janë duke vazhduar dhe se mund të ketë ende bastisje e sekuestrime.

Komento: