Ministrja e Integrimeve komenton urimet e Kryeministrit për vizat

15:53 | 17 July 2019

Hoxha komenton urimet e Kryeministrit për vizat, thotë se dëshiron të jetë më e rezeruar.

Ministrja për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se ndërlidhja e mundshme e procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën me dialogun politik me Serbinë, do të ishte zhgënjyese.

Ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thekson se ka tendenca të tilla, përkundër faktit se duhet të pranojmë se ka pasur kërkesa, qoftë për suspendimin e taksës, qoftë për vazhdimin e dialogut.

Hoxha thotë po ashtu se liberalizimi i vizave është në hapin e fundit në shqyrtimin e Këshillit të Ministrave.

Zonja Hoxha, ku dhe në cilën fazë është aktualisht Kosova në procesin e liberalizimit të vizave?

Dhurata Hoxha: Liberalizimi i vizave është në hapin e fundit, pra në shqyrtimin e Këshillit të Ministrave. Po them se është në hapin e fundit sepse pas vendimit që do të merret – pra një vendim konsensual nevojitet, e kam thënë që duhet të ketë një shumicë të kualifikuar.

Pra, na nevojitet aq numër i shteteve, të cilat e përbëjnë 65% të popullsisë të Bashkimit Evropian. Dhe nëse kjo ndodh, nëse kemi një votim në Këshillin e Ministrave, atëherë të gjitha procedurat e tjera pas këtij votimi – pra pas konfirmimit – atëherë janë vetëm procedurat burokratike që mund të përfundohen … është çështje javësh që mund të përfundojë pas votimit në Këshill.

Mirëpo, sfidën që e kemi ne është se ky konsensus ende nuk është ndërtuar mes vendeve anëtare, për ta futur në agjendë. Pra, kur ta shohim se është futur në agjendë dhe votohet në Këshillin e Ministrave, pastaj nuk është një kohë shumë e gjatë se kur hyn në fuqi lëvizja e lirë apo liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Ka rreth dy muaj që kryeministri Ramush Haradinaj uroi qytetarët e Kosovës se sivjet do të hiqen vizat. A mund të keni edhe ju një mesazh të njëjtë?

Dhurata Hoxha: T’ju them të drejtën, unë dua të jem pak më e rezervuar në këtë, për shkak se ne i kemi plotësuar kriteret, pra tani është bërë një vit prej konfirmimit nga Komisioni që janë përfunduar kriteret, por në anën tjetër çka po ndodh, ne po shohim se ky konsensus në Këshillin e Ministrave ende nuk ka lëvizur asgjë.

Pra, për mos t’u bërë edhe shumë pesimiste e gjitha varet nga vendet anëtare të BE-së. Ka qenë një lajm i mirë se Gjermania ka lëvizur në pozicioni e saj. Pra Gjermania edhe në takimet e mija që kam pasur si me ministrin për Evropë, qoftë edhe me ministrin e Jashtëm, e kanë konfirmuar se e përkrahin. Mirëpo, ishte ministri i Brendshëm ai që ishte refuzues apo kishte një ‘Jo’ për çështjen e liberalizimit. Së fundmi edhe ministri i Brendshëm, gjegjësisht Ministria e Brendshme ka lëvizur, ka filluar një grup teknik duke u takuar pra për t’i adresuar disa nga çështjet apo brengat që Gjermania mund t’i ketë, në aspektin e bashkëpunimit, në aspektin e sigurisë.

Besoj se nëse kemi një lëvizje në këtë aspekt, duhet njëra nga vendet anëtare ta shtyjë këtë çështje përpara. Për momentin, çka po e shoh unë është që nuk ka gatishmëri nga ndonjë prej këtyre vendeve, pra kur themi njëra nga vendet anëtare mund të paramendojmë se duhet të jetë një nga këto vendet e fuqishme që ka peshën e vendimeve dhe bërjes se politikave në Bashkimin Evropian. Njëra nga këto vende duhet ta shtyjë këtë çështje në agjendën e Këshillit të Ministrave, gjegjësisht krijimin e këtij konsensusi që është aq i nevojshëm, duke e ditur se Franca është kundër.

Pra, ju nuk keni të njëjtin mendim si kryeministri, pra janë disa procedura që duhet pritur, para se të urohen qytetarët për liberalizimin e vizave?

Dhurata Hoxha: Nuk është se nuk e kemi të njëjtin mendim sikur kryeministri sepse edhe kryeministri është optimist se kjo çështje do të ecë përpara, por në anën tjetër ne të gjithë e dimë se ka disa sfida edhe në kuadër të Bashkimit Evropian.

Krahas atyre 95 kritereve të Komisionit Evropian, çështja e luftimit të korrupsionit në nivelet e larta politike, shpesh potencohet si pengesa kryesore. A qëndron me të vërtetë problemi i heqjes së vizave te komponenti i drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit?

Dhurata Hoxha: Nuk e shoh këtë të ndërlidhur, për shkak se Komisioni e ka konfirmuar se janë plotësuar kriteret dhe nuk është vetëm Komisioni, kemi pasur edhe komitetin Libe, në kuadër të Parlamentit Evropian.

Kemi pasur dy votime në Parlamentin Evropian, me një shumicë të madhe. Gjithashtu kemi pasur rezoluta të ndryshme të europarlamentarëve që janë miq të Republikës së Kosovës, gjegjësisht njerëz që kanë bërë thirrje tek shtetet anëtare që të lëvizet përpara. Ndërsa, në anën tjetër, ne shohim edhe vende të cilat kanë liberalizimin, mirëpo, nuk qëndrojnë mirë as me sundim të ligjit, as me kontrollin e kufijve të tyre, gjë që na u kërkua neve në udhërrëfyes.

Ne kemi pasur 95 kritere dhe të gjitha u plotësuan. Kemi Gjeorgjinë, kemi Ukrainën apo edhe Moldavinë, vende këto të cilat janë të njohura me korrupsion të lartë, krimin e lartë.

Ukraina ka një konflikt të ngrirë në territorin e saj dhe nuk e kontrollon një pjesë të territorit të saj dhe prapëseprapë e gëzojnë procesin e liberalizimit të vizave. Pra, çështja e luftimit të krimit dhe korrupsionit është një proces i cili do të vazhdojë. Do të thotë është proces që ne duhet ta vazhdojmë. Është e vërtetë se duhet të prodhojmë rezultate sa më të mëdha, por nuk e shoh këtë çështje të ndërlidhur me procesin e liberalizimin e vizave.

Keni përmendur tri shtete si pengesë për liberalizimin e vizave. A ka në plan Qeveria e Kosovës të lobojë te këto vende për të sqaruar problemet pse ato hezitojnë?

Dhurata Hoxha: Deri më tani shtetet të cilat janë hezituese ta quaj, janë Franca, Holanda, Belgjika, ndërsa në anën tjetër, kemi edhe dy shtete mosnjohëse – është Qipro dhe Spanja. Këto janë ndoshta shtetet që kanë një pozicion më hezitues. Në anën tjetër, me nënshkrimin e fundit të marrëveshjes që është bërë nga kryeministri, gjegjësisht dhe ministri i Punëve të Brendshme, gjë që ishte ngritur edhe në takimin tim që kisha me ministrin e shtetit të Punëve të Brendshme, i cili do të vijë në vizitë në vjeshtën e hershme në Republikën e Kosovës, Franca është njëra ndër shtetet që na nevojitet për liberalizimin e vizave.

Ne çka jemi duke bërë është se po vazhdojmë që të kemi takime të rregullta, po vazhdojmë që të kemi komunikime të rregullta. Po vazhdojmë të ndajmë raporte të ndryshme, statistika të ndryshme, qoftë në sundimin e ligjit, qoftë në rastet e shënjestruara.

Pra, ne po vazhdojmë të kryejmë punën tonë, por në anë tjetër janë këto vende të cilat e shohin çështjen e liberalizimit të vizave jo shumë si një çështje kundër Kosovës, por e shohin si një çështje të politikave të tyre të brendshme, pra pozicionin e tyre karshi institucioneve të reja, kundër migracionit, kundër zgjerimit.

Për shembull, Franca është duke lobuar shumë hapur në Bashkimin Evropian dhe institucionet e reja, që zgjerimi të mos jetë pjesë e programit të Komisionit të ri dhe kjo patjetër që nuk duhet të ndërlidhet, por janë politika të brendshme të BE-së dhe jo aq shumë çështje që ne i kemi.

Për shembull, Kosova nuk është frikë, apo nuk do të jetë sfidë për keqpërdorimin e liberalizmit të vizave, sepse nuk jemi as në top 30 vendet nga kush ka numër të lartë të azilkërkuesve. Ose të gjitha këto raportime që bëhen në mediat tona për të rinjtë tanë apo njerëzit tanë që po lëvizin. Të gjitha ato janë viza ligjore, pra të lëshuara në mënyrë ligjore – viza pune. Dhe kjo është diçka që nuk është fenomen në Kosovë, por është kudo.

Do të thotë deri sa edhe vende të Bashkimit Evropian, anëtare të BE-së që kanë lëvizje të popullsisë, pra është një nocion i ri në globalizim. Pa dashur që të shfajësohemi, sepse ne duhet ta shohim Kosovën si një vend ku duhet të jetojmë të gjitha dhe ta shohim një vend të mundësive, por në po mundohemi që të gjitha të punojmë duke nisur nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendi, unë, ministri i Jashtëm, të gjithë jemi të koordinuar që të lobojmë sa më tepër që kjo çështje të lëvizë sa më shpejt.

Cilat janë gjasat që edhe fati i liberalizimit të vizave të futet në kuadër të kushteve për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Dhurata Hoxha: Kjo do të ishte më të vërtetë zhgënjyese që të shohim tendenca të tilla, përkundër faktit se duhet të pranojmë se kemi pasur kërkesa, qoftë për suspendimin e taksës, qoftë për vazhdimin e dialogut, njëra e ndërlidhur me tjetrën. Pra, [kërkesa] suspendojeni taksën dhe pastaj uleni në dialog. Nuk e mendoj se duhet të ndërlidhën me njëra-tjetrën dhe nuk ishte dashur të ndërlidhen sepse është një proces i cili deri më tani ka qenë puro teknik dhe tani u politizua në rastin e Kosovës. Pra, një proces i cili i përmbush kriteret dhe vjen liberalizimi siç ka ndodhur edhe për vendet e rajonit. Ne e kemi parë një proces të qartë, kurse tani në fund ky është një proces mjaft i paqartë për Republikën e Kosovës.

Unë shpresoj që të mos ndërlidhet, sepse ne qysh në start e kemi paguar dyfishin e çmimit që vendet e rajonit e kanë paguar për këtë proces, pra ne kemi 95 kritere, kurse vendet e tjera i kanë pasur 40-45 kritere.

Dhe tani të ndërlidhen apo të shtohen kriteret të cilat në të vërtet nuk janë kritere, por janë çështje politike, sepse është edhe në interes tonin patjetër që të ulemi dhe të bisedojmë dhe sa më parë të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo një marrëveshje historike për njohje të ndërsjella mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, sepse do të hapte rrugë për një proces edhe më të shpejtë të integrimit evropian.

Por, në anën tjetër, nuk është e drejtë që Bashkimi Evropian të mos e mbajë fjalën, kur të gjithë e dimë se ka qenë një proces shumë i qartë për të gjitha vendet e rajonit, pra plotësohen kriteret, vjen liberalizimi i vizave apo merret vendimi për liberalizmin e vizave.

Prandaj unë shpresoj që mos të ketë tendenca të tilla. Këtë e kemi bërë të qartë edhe unë në shumë takime të mija dhe kemi thënë se nuk duhet të paguajë edhe një herë për liberalizimin e vizave duke na kërkuar diçka që nuk është fare e lidhur me liberalizmin e vizave.

Komento: