Ministrja e Jashtme e Gjermanisë pritet ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë në mars

16:52 | 23 Shkurt 2022

Shefja e diplomacisë gjermane pritet ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë në mars.

Nëse nuk ka konflikt në shkallë të gjerë mes Rusisë dhe Ukrainës, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock do të vijë në Kosovë dhe Serbi muajin e ardhshëm, bën të ditur gazeta serbe, Nova, duke u thirrur në një burim të saj diplomatik.

Raportohet se vizita e kryediplomates gjermane në Ballkan është në kuadër të një turneu të saj diplomatik, ku përveç Kosovës dhe Serbisë, ajo do ta vizitojë edhe Bosnjë e Hercegovinën.

“Nëse situata mes Rusisë dhe Ukrainës nuk përshkallëzohet më tej, ajo do të vizitojë Serbinë në më pak se dy javë”, citon “Nova” burimin e saj.

Tema e diskutimeve të Baerbock me krerët e shtetit serb raportohet se do të jetë çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ecuria e mëtutjeshme e bisedimeve nën ndërmjetësimin e BE-së, si dhe situata politike në Bosnjë e Hercegovinë.

“Nova” shkruan se Gjermania do të jetë e interesuar ta dëgjojë qëndrimin e Serbisë për krizën në Ukrainë.

Komento: